Xhemi Hajredini: KUR TË DREJTAT FILLOJNË TË RELATIVIZOHEN
KUR TË DREJTAT FILLOJNË TË RELATIVIZOHEN
Reflektim mbi barazinë gjuhësore dhe përgjegjësinë kushtetuese të shtetit
Si qytetar dhe si njeri i angazhuar prej vitesh në jetën kulturore e publike të vendit, e ndiej të nevojshme të shpreh një mendim, apo shqetësim parimor lidhur me debatet e fundit për përdorimin e gjuhëve në komunikimin institucional me qytetarët.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ishte vetëm një marrëveshje politike e një momenti të caktuar historik. Ajo u shndërrua në një pikë themelore të riorganizimit demokratik të shtetit dhe të ndërtimit të një modeli bashkëjetese mbi parimin e barazisë qytetare. Përmes ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përmes Ligji për përdorimin e gjuhëve, u vendosën standarde që synojnë të garantojnë respektin ndaj realitetit multietnik dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve.
Në këtë kuptim, çdo interpretim apo praktikë institucionale që krijon përshtypjen e kufizimit të përdorimit të gjuhëve zyrtare në komunikimin me qytetarët, natyrshëm ngjall shqetësim. Argumenti se të gjithë qytetarët duhet ta njohin gjuhën maqedonase nuk mund të përdoret si arsye për ta relativizuar përdorimin e gjuhës tjetër zyrtare, në këtë rast gjuhën shqipe. Sepse po ta ndjekim të njëjtën logjikë, do të duhej të hiqej çdo dispozitë ligjore që garanton përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e shtetit.
Çështja, pra, nuk është nëse qytetarët e njohin ose jo gjuhën maqedonase. Çështja është nëse shteti respekton parimet që vetë i ka vendosur në rendin e tij kushtetues dhe ligjor.
Njohja dhe respektimi i gjuhës së tjetrit nuk e dobëson shtetin. Përkundrazi, e forcon atë, sepse ndërton besim, mirëkuptim dhe ndjenjën e përbashkët të përgjegjësisë për të ardhmen.
Prandaj çdo politikë publike, qoftë edhe në projektet teknologjike apo administrative, duhet të jetë në përputhje me frymën dhe standardet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Sepse kur të drejtat kushtetuese fillojnë të relativizohen me arsyetime praktike, atëherë nuk pëson vetëm një gjuhë, por dobësohet besimi qytetar në barazinë mbi të cilën është ndërtuar shteti.
Xhemi Hajredini
Strugë, 12 mars 2026

