Zyrtari iranian kërcënon Trumpin: “Kujdes që të mos eliminoheni”
Një nga zyrtarët më me ndikim në Iran, Ali Larijani, i cili shërben si sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, i ka dërguar një mesazh të ashpër presidentit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke e paralajmëruar me “eliminim”.
Në një postim në rrjetin social X, Larijani shkroi se Irani nuk frikësohet nga kërcënimet amerikane dhe se askush nuk mund ta mposhtë popullin iranian.
“Irani nuk ka frikë nga kërcënimet tuaja boshe. Edhe ata më të fuqishëm se ju nuk mundën ta eliminojnë kombin iranian. Kujdesuni për veten që të mos eliminoheni”, shkroi ai.
Deklarata erdhi si reagim ndaj paralajmërimeve të mëparshme të Trumpit, i cili kishte thënë se Teherani do të përballet me “zjarr dhe zemërim” nëse nuk hap Ngushticën e Hormuzit. Presidenti amerikan kishte shtuar gjithashtu se SHBA mund ta sulmojë Iranin “20 herë më fuqishëm” se më parë.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës. Mbyllja e saj nga Irani ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë në shumë vende të botës.
Ndërkohë, kërcënimet ndaj Trumpit nuk janë të reja. Shërbimet amerikane të inteligjencës kishin paralajmëruar gjatë vitit 2024 për plane të mundshme për atentat ndaj tij, që sipas tyre mund të lidhen me autoritetet iraniane.
Në një intervistë për ABC News, Trump kishte deklaruar se këto informacione ndikuan në vendimin e tij për të mbështetur një operacion të përbashkët me Izrael, gjatë të cilit u vra lideri suprem iranian Ali Khamenei.
Ndërkohë, një gjykatë federale në Brooklyn ka dënuar një shtetas pakistanez, Asif Merchant, për pjesëmarrje në një komplot për atentat ndaj Trumpit. Ai ishte arrestuar në korrik të vitit 2024 dhe gjatë gjyqit kishte deklaruar se ishte angazhuar për këtë mision nga autoritetet iraniane.
Trump kishte paralajmëruar më herët se nëse Irani do të ishte përgjegjës për vrasjen e tij, vendi do të përballej me pasoja shkatërruese. Sipas tij, një skenar i tillë do të çonte në “zhdukjen e plotë” të Iranit.

