Arben Fetai mbetet pa asnjë deputet, Demiri dhe Musa rreshtohen krah Azir Aliut

Krahu i Arben Fetait në Aleanca për Shqiptarët ka mbetur pa asnjë përfaqësues në Kuvend pas zhvillimeve të fundit brenda subjektit politik.

Në një iftar të përbashkët me struktura partiake të afërta me ministrin Azir Aliu, deputeti i pavarur Ilir Demiri u rreshtua publikisht krah tij, raportojnë burime partiake.

Sipas informacioneve nga brenda partisë, edhe deputetja Mimoza Musa ka vendosur të përkrahë opcionin e Aliut. Musa më herët ishte pjesë e ASH-së së udhëhequr nga Arben Taravari, ndërsa pas ndarjeve brenda subjektit politik kaloi te krahu i mbetur në VLEN dhe në qeveri.

Azir Aliu deklaroi se prioritet mbetet bashkimi i Aleancës për Shqiptarët dhe jo thellimi i ndasive. Ai theksoi se përçarjet janë procese demokratike, por që synimi përfundimtar është forcimi i subjektit.

“Në fund të fundit, Ilir Demiri është pjesë e Aleancës për Shqiptarët. Së bashku kemi filluar dhe së bashku duhet të vazhdojmë,” u shpreh Aliu.

Me këto zhvillime, krahu i Fetait mbetet pa asnjë mandat parlamentar nga zgjedhjet e vitit 2024.

Ndërkohë, Fetai ka njoftuar për një takim të jashtëzakonshëm me strukturat partiake nga i gjithë vendi, ku pritet të merret vendim për hapat e mëtejshëm politikë, përfshirë mundësinë e themelimit të VLEN-it si subjekt politik.