Ademi: Ende s’ka marrëveshje për takim Ahmeti–Mickoski, Badenteri kërkesë kryesore e BDI-së

Takimi mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryeministrit Hristijan Mickoski ende nuk është dakorduar, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi.

Në një intervistë për “24 Analiza”, Ademi tha se nëse realizohet takimi, Ahmeti do t’ia paraqesë Mickoskit kërkesat kryesore të miratuara në Kongresin e BDI-së, përfshirë formimin e një qeverie me parimin e Badenterit dhe zbatimin e Badenterit edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ligje që kërkojnë shumicë të dyfishtë.

Sipas Ademit, këto propozime burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe janë në interes të të gjithë qytetarëve, duke forcuar karakterin unitar të shtetit. Ai theksoi se BDI nuk heq dorë nga kërkesa për zgjedhje parlamentare, por paraprakisht kërkon ndërhyrje në Ligjin për Qeverinë, me qëllim që të shmangen përfaqësuesit jolegjitimë të shqiptarëve.

Ademi kritikoi edhe qëndrimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka deklaruar se nëse Badenteri zbatohet në këtë institucion, atëherë Gjykata Kushtetuese duhet të mbyllet.