Ushtria amerikane kryen sulme ajrore kundër ISIS-it në Siri

Ushtria amerikane ka njoftuar se ka realizuar disa sulme ajrore në Siri, duke shënjestruar objektiva të grupit militant Shteti Islamik (ISIS), bëri të ditur Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM).

Sipas njoftimit zyrtar, sulmet u kryen të shtunën pasdite në bashkëpunim me forcat partnere në terren dhe janë pjesë e operacionit “Hawkeye Strike”, i nisur më 19 dhjetor 2025 me urdhër të presidentit Donald Trump. Operacioni erdhi si reagim ndaj sulmit të ISIS-it në Palmyra më 13 dhjetor, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil.

CENTCOM theksoi se qëllimi i operacionit është lufta kundër terrorizmit, parandalimi i sulmeve të ardhshme dhe mbrojtja e trupave amerikane dhe aleate në rajon. Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende informacione për viktima të mundshme nga këto sulme.

Ndërkohë, i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, njoftoi se është takuar në Damask me udhëheqjen e re të vendit për të diskutuar zhvillimet dhe të ardhmen e Sirisë.