Sejfulla Osmani: Në Zvicër faji kërkohet aty ku duhet, në rastin e Koçanit u veprua ndryshe

Profesori universitar dhe juristi Sejfulla Osmani, në një deklaratë për TV21, ka komentuar tragjedinë e ndodhur në Crans-Montana të Zvicrës, ku nga zjarri në objektin “La Constellation” humbën jetën 40 persona. Ai theksoi se në Zvicër institucionet e drejtësisë fokusohen në identifikimin e përgjegjësisë tek faktorët e drejtpërdrejtë që kanë çuar në shpërthimin e zjarrit.

Sipas Osmanit, një qasje e tillë do të duhej të zbatohej edhe në rastin e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan. Ai nënvizoi se ekziston një dallim i madh mes mënyrës së hetimit në Zvicër dhe asaj në vendin tonë, duke shtuar se atje Prokuroria e kërkon fajin aty ku realisht ndodhet, ndërsa këtu shpeshherë aty ku dëshirohet.

“Te ne faji u kërkua aty ku u desh, duke ‘gjuajtur shtriga’ dhe duke i drejtuar akuzat ndaj ministrave apo personave që kanë pasur kompetenca shumë më herët. Ndërsa në Zvicër përgjegjësia kërkohet te inspektoratet, menaxhmenti dhe faktorët e drejtpërdrejtë që kanë ndikuar në shpërthimin e zjarrit”, u shpreh Osmani.

Ai përfundoi duke shpresuar që edhe në rastin e Koçanit, vazhdimi i hetimeve të shkojë në drejtim të identifikimit të përgjegjësisë reale dhe konkrete, ashtu siç veprohet në shtetet me sistem të konsoliduar të drejtësisë.