Trump pretendon se Nicolas Maduro është kapur pas një operacioni të gjerë në Venezuelë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi mëngjesin e sotëm se Nicolas Maduro është arrestuar pas një operacioni “me shkallë të gjerë” të zhvilluar në Venezuelë. Lajmi u bë i ditur nga vetë Trump, ndërsa mediat amerikane, përfshirë CNN, raportojnë se SHBA-ja prej kohësh e akuzon Maduron për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, akuza që ai vazhdimisht i ka mohuar.

Trump nuk ka dhënë detaje se si është realizuar operacioni, as se ku është dërguar Maduro pas kapjes. Deri më tani, autoritetet zyrtare të Venezuelës nuk e kanë konfirmuar këtë informacion.

Kujtojmë se SHBA-ja kishte ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin e Maduros. Ky shpërblim, së bashku me praninë e shtuar ushtarake amerikane në rajon gjatë muajve të fundit, ishte interpretuar si presion për përçarje të brendshme kundër tij.

Trump njoftoi gjithashtu në rrjetin social Truth Social se do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 11:00 sipas kohës lokale (16:00 BST), në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.