Ndahet nga jeta në mënyrë të papritur këngëtari i njohur shqiptar, Shpat Kasapi
Janë zbardhur detajet e para rreth vdekjes së papritur të këngëtarit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi. Artisti nga Tetova ka ndërruar jetë mbrëmjen e kaluar gjatë një koncerti në Bologna të Italisë, pasi është ndier keq në skenë. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë mjekësore, dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak.
Kasapi, i lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ishte rritur në një familje me origjinë dibrane dhe traditë të hershme muzikore. Ai u bë pjesë e skenës shqiptare në fillim të viteve 2000, duke u shndërruar shpejt në një nga emrat më të dashur të muzikës moderne. Hitet e tij, si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit” dhe “Aroma e saj”, vazhdojnë të mbeten të pëlqyera në mbarë trojet shqiptare.
Gjatë më shumë se dy dekadave karrierë, Shpat Kasapi mori pjesë në festivale të shumta dhe realizoi bashkëpunime që u pritën mirë nga publiku. Ai mbeti aktiv deri në ditët e fundit, duke ruajtur popullaritetin dhe lidhjen e fortë me artdashësit shqiptarë.
Lajmi për ndarjen e tij të parakohshme ka shkaktuar dhimbje të madhe në radhët e fansave dhe komunitetit artistik.

