Zgjidhet kryetari i Këshillit komunal në Bërvenicë, VMRO-LSDM mbivotojnë VLEN-in dhe AKI-në

Në seancën e dytë të përbërjes së re të Këshillit të Komunës së Bërvenicës, Robert Milloshevski u zgjodh kryetar i Këshillit. Ai ishte bartësi i listës së këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së – partia nga e cila vjen edhe kryetari i komunës, Jovica Ilievski.

Milloshevski mori tetë vota “pro”: gjashtë nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe dy nga koalicioni i LSDM-së. Katër këshilltarët e VLEN-it dhe tre të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim abstenuan. Këshilli numëron gjithsej 15 anëtarë.

Me zgjedhjen e kryetarit të Këshillit dhe me dorëzimin e vërtetimit për kryetar komune, u kompletua formimi i vetëqeverisjes lokale në Bërvenicë. Pas përfundimit të dy raundeve zgjedhore dhe skadimit të afateve për ankesa, Komisioni Komunal Zgjedhor i dorëzoi Jovica Ilievskit vërtetimin për mandat të ri si kryetar komune, duke i mundësuar vazhdimin e mandatit të dytë.

Komisioni Komunal i Bërvenicës më 10 nëntor ndau vërtetimet për 15 këshilltarët e zgjedhur, pas së cilës u mbajt seanca konstituive. Megjithatë, zgjedhja e kryetarit të Këshillit u shty për seancën e sotme.