Kallëzim penal ndaj tetë ish-zyrtarëve të Komunës së Sarajit për keqpërdorim dhe falsifikim dokumentesh

Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal ndaj tetë personave – ish-funksionarë dhe punonjës të Komunës së Sarajit dhe Qytetit të Shkupit, si dhe ndaj një inxhinieri mbikëqyrës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, moskujdes në punë dhe falsifikim ose shkatërrim të librave zyrtarë, raporton TV21.

Në njoftimin zyrtar thuhet se kallëzimi është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup kundër:

B.B. (ish-kryetar i Komunës së Sarajit), S.Sh. dhe Q.K. (ish-sekretarë në komunë), A.S. dhe Q.A. (drejtues të sektorit të urbanizmit), A.Sh. (bashkëpunëtor në komunë), I.B.Sh. (drejtues i sektorit për planifikim në Qytetin e Shkupit), dhe L.T. (inxhinier mbikëqyrës).

Sipas hetimeve, zyrtarët e Komunës së Sarajit, edhe pse e dinin se për parcelën kadastrale KP 10405/6 KO Saraj nuk ekzistonte plan i detajuar urbanistik, kanë tejkaluar kompetencat zyrtare, duke hartuar dhe miratuar dokumente të falsifikuara për leje ndërtimi dhe kompensim të tokës ndërtimore.

Ndërkohë, inxhinieri mbikëqyrës ka kryer kontroll teknik të objektit dhe ka përgatitur raport përfundimtar me përmbajtje të pasaktë.

Me këto veprime, personat e akuzuar i kanë mundësuar kompanisë “Azra Idriz” DOOEL, Gllumovë – Saraj, të përfitojë në mënyrë të paligjshme rreth 108.6 milionë denarë.

Hetimet vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit.