VLEN i jep mbështetje Maksim Dimitrievskit për balotazhin në Kumanovë

Kryetari aktual i Komunës së Kumanovës dhe kandidati për një mandat të ri, Maksim Dimitrievski, ka marrë sot mbështetje zyrtare nga përfaqësues të koalicionit VLEN për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahet më 2 nëntor.

Në takimin e zhvilluar morën pjesë kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe sekretari organizativ i Alternativës, Bashkim Murteti.

“Gjatë një bisede të ngrohtë dhe të sinqertë, mora mbështetje të fuqishme nga përfaqësuesit e partnerit koalicional VLEN për raundin e dytë në Kumanovë. Kjo përkrahje pasqyron realitetin multietnik dhe multikulturor të qytetit tonë dhe na jep energji shtesë për të vazhduar drejt realizimit të projekteve në interes të të gjithë qytetarëve,” ka shkruar Dimitrievski në një postim në rrjetet sociale.

Ai ka falënderuar përfaqësuesit e VLEN për besimin dhe ka theksuar se do të vazhdojë të punojë për një Kumanovë të bashkuar dhe zhvilluar, ku çdo qytetar të ndihet i përfaqësuar dhe i respektuar, pa dallime etnike apo politike.