VMRO dhe LSDM bashkohen për ankesë të përbashkët në KSHZ kundër rezultatit në Çashkë

Në një zhvillim të rrallë politik, partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM janë bashkuar për të dorëzuar një ankesë të përbashkët në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) lidhur me procesin e votimit në Komunën e Çashkës, raporton Gazeta KOHA.

Sipas burimeve, megjithëse të gjitha Komisionet Komunale Zgjedhore kanë dërguar raportet e tyre zyrtare që të dielën në mbrëmje duke konfirmuar se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe demokratike, dy partitë më të mëdha maqedonase po përpiqen të kontestojnë rezultatin përfundimtar.

Rezultatet zyrtare tregojnë se kandidati shqiptar Suat Shaqiri ka fituar 2322 vota, ose mbi 50% të mbështetjes, duke triumfuar bindshëm ndaj kundërkandidatëve maqedonas — Goran Stonajovski i LSDM-së, me 1110 vota, dhe Dejan Andonovsko i VMRO-së, me 1074 vota.

Sipas burimeve nga terreni, përpjekjet për të kundërshtuar rezultatin shihen si tentativë për të zvarritur certifikimin e fitores së Shaqirit, i cili konsiderohet si një simbol i përfaqësimit të shqiptarëve në komunat e përziera të rajonit të Vardarit.

Vendimi përfundimtar i KSHZ-së pritet të merret në ditët në vijim.