Ali Ahmeti nga Gostivari: “Zgjedhjet lokale do të jenë plebishit kombëtar – mobilizohuni për të ardhmen europiane të shqiptarëve”

Në një tubim madhështor qytetar të mbajtur mbrëmjen e së shtunës në Gostivar, lideri i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Ali Ahmeti, bëri thirrje për unitet kombëtar, mobilizim elektoral dhe reflektim të thellë për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, raporton TS.

“Proceset duhet t’i çojmë përpara. Ne jemi për paqe, për stabilitet, për Europë, për një Ballkan pa kufij. Popujt duhet të jetojnë të lirë. Ne nuk duam të na përsëritet e kaluara, sepse e kaluara është e dhimbshme,” u shpreh Ahmeti, duke theksuar rëndësinë e paqes dhe bashkëjetesës rajonale.

Në fjalën e tij, lideri i AKI-së vuri në dukje se vota e shqiptarëve ka rol të jashtëzakonshëm në përcaktimin e drejtimit të shtetit dhe kërkoi që mobilizimi kombëtar të jetë detyrë dhe përgjegjësi e secilit qytetar.

“Mobilizimi me votë kombëtare është detyrë. Duhet të ndjekim politikë konstruktive që respekton interesin e qytetarëve dhe integritetin e shtetit,” tha Ahmeti.

Ai paralajmëroi se pas zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, vendi do të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në pranverë, duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë liderit të ASH-së:

“Zoti Taravari, në pranverë detyrimisht shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, në frymën e legjitimitetit dhe krenarisë kombëtare.”

Ahmeti theksoi se zgjedhjet e ardhshme nuk janë vetëm lokale, por kombëtare, dhe bëri thirrje për organizim dhe mobilizim në çdo lagje, në çdo cep të vendit, në mënyrë që, siç tha ai, “zëri i shqiptarëve të jetë i bashkuar dhe i fuqishëm në rrugën drejt integrimit europian.”

Në përmbyllje, lideri i AKI-së falënderoi mbështetësit për përkushtimin e tyre, duke i uruar sukses të gjithë atyre që “janë në shërbim të çështjes kombëtare dhe integrimit europian të vendit.”

📍 Burimi: TS