KSHZ miraton udhëzimet për votim në zgjedhjet lokale të vitit 2025
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka miratuar sot Udhëzimet për Votim për zgjedhjet lokale të vitit 2025. Sipas vendimit, votimi do të zhvillohet personalish dhe çdo qytetar do të ketë të drejtë të votojë vetëm një herë, pas identifikimit me kartë identiteti ose pasaportë.
Do të lejohet gjithashtu votimi për personat dokumentet e të cilëve kanë skaduar nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri më 19 tetor. Identifikimi i votuesve do të bëhet përmes pajisjeve biometrike, duke përdorur gishtin e madh të dorës së djathtë.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, theksoi se fletëvotimet do të vulosen para se t’u dorëzohen votuesve. Votimi do të kryhet në mënyrë të fshehtë, pas paravanit dhe me stilolaps blu, ndërsa më pas fletëvotimet do të vendosen në kuti të veçanta – katër për Qytetin e Shkupit dhe dy për secilën nga 80 komunat e tjera.
KSHZ kujtoi se votimi në grup, familjar ose me dikë tjetër, si dhe fotografimi apo mbajtja e armëve në qendrat e votimit, janë rreptësisht të ndaluara.


