Trump do ta presë Erdoganin në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se më 25 shtator do të presë në Shtëpinë e Bardhë presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, me të cilin pritet të nënshkruhen marrëveshje të reja tregtare dhe ushtarake.
“Punojmë në shumë marrëveshje tregtare dhe ushtarake, duke përfshirë blerjen e aeroplanëve ‘Boeing’, marrëveshje të madhe për aeroplanë luftarakë F-16 dhe vazhdim të bisedimeve për F-35, të cilat presim të përfundojnë pozitivisht,” tha Trump përmes rrjetit të tij social Truth Social.
Erdogan vizitoi për herë të fundit Shtëpinë e Bardhë në vitin 2019, gjatë mandatit të parë të Trump. “Unë dhe presidenti Erdogan kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë. Pres me padurim ta takoj më 25 shtator,” shtoi Trump.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan në vitin 2019, pasi Turqia bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, gjë që detyroi SHBA-në të anulonte shitjen e avionëve F-35 dhe të përjashtonte Turqinë nga programi i përbashkët i prodhimit. Në vend të kësaj, Ankaraja ra dakord për një marrëveshje për blerjen e avionëve F-16.

