Rijad Shaqiri reagon pas vendosjes së flamujve serbë në Mateç: “Provokim i rëndë ndaj shqiptarëve”

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, pjesë e koalicionit Beslidhja – Aleanca Kombëtare për Integrim, Rijad Shaqiri ka reaguar ashpër ndaj veprimit të zëvendëskryeministrit Ivan Stoiloviq, i cili ka vizituar manastirin e Mateçit duke vendosur flamuj të Serbisë dhe mbishkrime me përmbajtje provokuese.

Shaqiri e cilësoi këtë si një akt të rëndë provokues dhe një përdhosje të kujtesës historike të shqiptarëve.

“Ky është një provokim i hapur ndaj banorëve të Komunës së Likovës, të cilët për dekada me radhë kanë dëshmuar qartë se nuk frikësohen nga askush dhe nuk lejojnë që të cenohet dinjiteti, vlerat dhe qetësia e tyre,” – u shpreh Shaqiri.

Ai shtoi se paaftësia e institucioneve për të parandaluar tendencat pro-serbe në vend është e papranueshme, duke theksuar se sjellja e Stoiloviqit në Mateç është një akt politik që synon tensionimin e situatës dhe ofendimin e shqiptarëve të zonës.

“Tradhti është të sjellësh Stoiloviqin në Mateç, në një manastir që për 23 vjet nuk ka qenë objekt vizitash nga askush, dhe ta përdorësh këtë për qëllime politike e provokuese,” – ka thënë Shaqiri.

Deputeti apeloi për maturi dhe unitet, duke theksuar se shqiptarët e Likovës nuk do të bien pre e asnjë provokimi, por do të mbeten të bashkuar në mbrojtje të interesave dhe dinjitetit të tyre kombëtar.

Reagimi i plotë i Shaqirit:

“Të nderuar qytetarë dhe banorë të Komunës së Likovës,

Sot jeni dëshmitarë të një provokimi të hapur nga ana e zëvendëskryeministrit Ivan Stoiloviq, i cili me flamurin e Serbisë dhe me mbishkrime me përmbajtje provokuese tentoi ta sfidojë dhe ta provokojë Komunën e Likovës.

Ditëve të fundit po shohim se, nga paaftësia për të parandaluar proceset dhe tendencat pro-serbe, individë dhe struktura të caktuara politike shpifin e përgojojnë kundër të tjerëve. Por duhet ta dinë të gjithë se tradhti e vërtetë është të provokosh në Komunën e Likovës me aventura të tilla të pseudo-patriotëve që shërbejnë interesave të këtyre strukturave politike.

Tradhti është të sjellësh Stoiloviqin në Mateç, në një manastir që për 23 vjet nuk ka qenë objekt vizitash nga askush, e ta përdorësh këtë për qëllime politike dhe provokuese.

Banorët e Likovës kanë treguar gjithmonë qartësisht se nuk frikësohen nga askush dhe nuk lejojnë që provokime të tilla të cenojnë dinjitetin, vlerat dhe qetësinë e tyre. Ne jemi të bashkuar dhe të vendosur të mos biem pre e asnjë provokimi”, ka përfunduar Shaqiri.