Bujar Osmani: Çairi po shkon drejt kolapsit, në mandatin tim do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme
Shkup, Çair – Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një takim me qytetarët deklaroi se gjendja në këtë komunë është “në prag të kolapsit të plotë” për shkak të 20 viteve të menaxhimit pa vizion dhe në shërbim të interesave personale.
Osmani kritikoi ashpër udhëheqjen aktuale, duke thënë se Çairi është “komuna më e ndotur në Shkup, me kaos urbanistik, me mungesë transparence dhe me kriminalizim të thellë”.
Ai paralajmëroi se nëse fiton mandatin, që nga dita e parë do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në komunë për të adresuar problemet me papastërtinë, ndërtimet pa leje dhe korrupsionin.
“Papastërtia po i helmon fëmijët tanë. Rrugët e Çairit nuk duhet t’i lajë vetëm shiu. Fëmijët po rriten në pluhurin e Çairit”, tha Osmani, duke premtuar angazhimin e kompanive private, qytetarëve dhe madje edhe nxënësve të shkollave të mesme për të ndalur krizën e pastërtisë.
Si projekt të parë simbolik dhe praktik, ai paralajmëroi nisjen e iniciativës “Çair pa gropa”, për të rikthyer rregullin në infrastrukturën urbane.
Në pjesën më të ashpër të fjalimit, Osmani u dërgoi mesazh atyre që, sipas tij, mendojnë se do ta frikësojnë me presione:
“Askush nuk do të mund të shkelë rregullat në kurriz të së ardhmes së fëmijëve tanë. Asnjë objekt në Çair nuk do të ndërtohet pa leje.”
Ai akuzoi udhëheqjen aktuale për keqpërdorime të resurseve publike dhe kontrata fiktive deri në 50.000 denarë, duke shtuar se “dhjetëra mijëra euro shpenzohen për kafe dhe uljet e funksionarëve të partisë”.
Osmani premtoi se me marrjen e mandatit do të nisë një auditim të brendshëm dhe të jashtëm të plotë, me qëllim ndalimin e abuzimeve dhe kthimin e komunës te qytetarët, përmes “rregullit, drejtësisë dhe llogaridhënies publike”.


