Aksion i madh policor në lindje të Maqedonisë: Arrestohet drejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe zyrtarë policorë

Berovë / Pehçevë / Dellçevë – Prej mbrëmë, në rajonin lindor të Maqedonisë së Veriut po zhvillohet një aksion i madh policor që ende vazhdon. Operacioni ka për qëllim shkatërrimin e një grupi të organizuar kriminal, i dyshuar për prerje ilegale të pyjeve, korrupsion dhe vepra të rënda kundër mjedisit jetësor.
Sipas burimeve jozyrtare, mes të arrestuarve janë:
drejtori aktual i Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë”, një shef policie, disa pjesëtarë të forcave policore dhe policisë pyjore, një zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë në nivel rajonal, si dhe pronarë të disa subjekteve juridike.
Grupi dyshohet se ka funksionuar si një shoqatë kriminale e strukturuar, e cila përmes prerjeve të paligjshme dhe transportit të druve, në bashkëpunim me rrjete korruptive, arrinte t’i legalizonte dhe t’i shiste ato si të rregullta. Për vite të tëra, këto aktivitete janë zhvilluar pa ndonjë pengesë serioze, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore dhe ekonomike.
Ky aksion shihet si një mesazh i prerë nga policia dhe Qeveria se korrupsioni dhe shkatërrimi i burimeve natyrore nuk do të tolerohen, pavarësisht se kush qëndron pas tyre.
Në opinion ndërkaq mbetet e hapur pyetja: a kanë institucionet vendore mjaft integritet për t’u përballur me krimin e organizuar dhe për të mbrojtur interesin publik?

