Haradinaj publikon dokument: “Kurti i rekrutuar nga Serbia”
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se ai është “i rekrutuar nga Serbia” dhe po vepron në dëm të interesave të Kosovës.
Në një intervistë në Rubikon, Haradinaj prezantoi edhe një dokument, të cilin e cilësoi si provë të bashkëpunimit të Kurtit me Serbinë. Fjala është për një letër të datës 8 gusht, ku – sipas tij – përfaqësuesit evropianë refuzuan ta takonin Kurtin në zyrën e tij.

“Imagjinoni, edhe para luftës shkonin tek Rugova në Velani, në shtëpinë e tij. Sot, kryeministrit të një shteti të pavarur i thonë: ‘nuk mundemi me ardhë te ti në zyrë’. Ky është sukses për Serbinë. Nuk ka sukses më të madh për ta sesa kur BE i thotë kryeministrit të Kosovës se po e mban postin jashtëligjshëm”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se rreziku për Kosovën nuk vjen nga Lista Serbe apo komuniteti serb në veri, por nga mënyra se si Kurti ka menaxhuar proceset politike.
“Kurti e ka bërë dialogun showbiz vetëm për vota. I është dashur të shpallë një armik, të krijojë luftë të rreme për të mbuluar dështimet e tij. Ai është i rekrutuar nga serbët, është i tyre”, deklaroi Haradinaj.

