Haradinaj: Kurti është i rekrutuar nga Serbia, i programuar të veprojë kundër Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar si të “rekrutuar nga Serbia” dhe të “programuar për të vepruar kundër interesave të Kosovës”.
Në një intervistë në emisionin Rubikon, Haradinaj tha se Kurti ka shërbyer për qëllimet e Beogradit dhe përmendi një dokument që, sipas tij, dëshmon këto lidhje. Ai iu referua një letre të datës 8 gusht, ku përfaqësuesit evropianë refuzuan ta takonin kryeministrin në zyrën e tij.

“Kjo është letra e datës 8 gusht që ia kanë dërguar. Kryeministrit të Kosovës i thotë Evropa, në kohën kur Maqedonia e Serbia hapin kapituj dhe Shqipëria ecën përpara: ‘Zotëri, s’mundemi me të taku në zyre’”, deklaroi Haradinaj.
Ai theksoi se rreziku për Kosovën nuk vjen nga Lista Serbe apo komuniteti serb në veri, por nga mënyra se si Kurti ka menaxhuar procesin politik.
Sipas Haradinajt, rekrutimi i Kurtit nga shërbimet serbe ka ndodhur gjatë kohës sa ai ishte në burg.
“Nga ajo që di unë, po, është rekrutuar prej tyre gjatë kohës në burg. Edhe më herët kanë komunikuar me të, por në burg e kanë ‘brainwashed’. Ai është programuar që të sillet kështu siç sillet sot,” tha Haradinaj.

