Rama: Me padurim për hapjen e katër kapitujve të rinj në negociatat me BE-në

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot një mesazh optimist për procesin e integrimit evropian, duke njoftuar se Shqipëria pritet të hapë katër kapituj të rinj negociatash gjatë Konferencës së 6-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.

“Mirëmëngjes dhe me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj – një ritëm rekord. Ju uroj një ditë të mbarë,” shkroi Rama në rrjetet sociale, duke postuar një foto me komisioneren për Zgjerim, Marta Kos.

Konferenca nis në orën 08:00 në Bruksel dhe do të përqendrohet në grupkapitullin IV “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Kapitujt që do të hapen lidhen me Transportin, Energjinë, Rrjetet Trans-Evropiane dhe Mjedisin me Ndryshimet Klimatike.

Takimin e bashkëdrejtojnë ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, dhe kryeministri Rama, ndërsa më pas do të mbahet një konferencë për shtyp me komisioneren Kos.

Shqipëria ka hapur deri tani 24 kapituj, duke përfshirë katër nga gjashtë grupkapitujt kryesorë, mes tyre “Themeltorët” dhe “Tregu i Brendshëm”. Konferenca e ardhshme është planifikuar për 2 tetor dhe do të fokusohet te grupkapitulli i fundit, “Bujqësia dhe Kohezioni”.

BE-ja mbetet optimiste për anëtarësimin e Shqipërisë deri në vitin 2030 – një objektiv që Rama e ka shpallur si prioritet kryesor të mandatit të tij.