Pollozhani me reagim për rastin në Manastir 👇🏻

Postimi i tij i plotë:

Sulmi i fundit në Manastir ndaj një qytetari suedez, vetëm pse mbante një bluzë me shqiponjë, nuk është një rast i izoluar. Ky akt është produkt i një klime politike të helmuar, të krijuar nga një vit qeverisje e VMRO-DPMNE në koalicion me VLEN.

Kjo qeverisje ka rikthyer frymën e përçarjes dhe të urrejtjes ndëretnike, duke nxitur tensione dhe duke forcuar narrativën anti-shqiptare. Në vend që të punohej për bashkëjetesë dhe barazi, është kultivuar një ambient ku simboli kombëtar shqiptar shihet si kërcënim, ndërsa shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
Kërkojmë nga institucionet e Maqedonisë së Veriut që të garantojnë siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim kombësie. Por mbi të gjitha, kërkojmë ndryshim të menjëhershëm të kursit politik: mjaft me politikën e përçarjes dhe të frikës. Ky vend nuk mund të ecë përpara me nacionalizëm të skajshëm dhe me urrejtje si instrument qeverisjeje.

Shqiptarët nuk janë problem i këtij vendi – shqiptarët janë pjesë themelore e tij. Çdo sulm ndaj tyre, apo ndaj simboleve të tyre, është sulm ndaj vetë stabilitetit dhe ardhmërisë së Maqedonisë së Veriut.