Pollozhani: TA RUAJMË ATË QË NA BËN TË VEÇANTË!

RIPOSTIM
TA RUAJMË ATË QË NA BËN TË VEÇANTË!

,,Nuk ka një tjetër si Struga,,(мкд. “Како Струга нема друга”- kështu janë mburrur struganët kur ata të Ohrit me krenari u thonin ,,Oria si floria,, .

Ç’E BËN STRUGËN TË VEÇANTË?
Përveç dhuratës së natyrës që po e trashëgojmë , paraardhësit tanë të kësaj ane na lënë edhe trashëgimi materiale shumë të begatë dhe të rëndësishnme për të njohur të kaluarës tonë sikurse janë : Bazilikat si ajo e Ladorishtës dhe Oktisit ,vendbanimet e jetra si ajto mbi fshatin Dolllogodhdë, pran fshatit Koroshisht së fundmi dhe vendanimet mbi uji( palafitet) rreth liqenit, e më vonë edhe Kishat e vjetra dhe të rëndësishme si ajo e Shën Gjergjit në qytet si dhe xhamitë dhe teqet.
Trashëgimia profane në qytetin e Strugës është e veçantë dhe flet shumë për një vençanti tjetër të pashoqe për banorët e saj. Këtu bëjnë pjesë Muzeu ,, Dr. Nikola Nezlobinski,, që me eksponatet biologjike (florën dhe faunën) paraqet memorejen e Liqenit të Ohrit dhe vedneve për rreth si dhe eksponatent arkeologjike shumë të rëndësishme që për mungesës të vendit me vite po rrijnë në sirtarët e qilareve të muzeut. Shtëpia e Muze e lindjes të Vëllezërve Miladinovci në mënyrë të veçantë paraqet trashëgiminë artistike të Strugës e përjetësuar me Mbrëmjet Strugane të poezisë ,festivalin ndërkombëtar të poezisë që për çdo vjet mbahet mbi urat e Drinit të Zi në qendër të Strugës .
Në Strugë do të gjeni edhe shtëpitë ku lindën dhe vepruar Familja Sojli që i dha rilindjes dy djemtë e saj Ibraim Temon (Sojli) patriotin dhe eruditin e lëizje reformatore të Perandorisë Osmane dhe Nuri Sojli , shtëpinë e Dr Murteza Ali Strugës, mjekut të parë në këtë anë, të dy nënshkues nga Struga të pavarësisë në Vlorë në vitin 1012 . Struga ruan edhe kujtimin për Qazim bej Vlorën, djalin e Ismail Qemalit që po prehet në varrezat e qytetit.
Struga me bukuritë e saj dhe të kaluarën e begatë është edhe vendlindja dhe frymëzimi i shumë artistëve, shkrimtarëve dhe udhë përshkruesve si Evlia Çlelebiu, Edvard Lear, Gerog Han, Le Korbusie (Le Corbusier), më vonë edhe i shkrimtarit Luan Starovës, Vlado Malevskit,piktorit Vangjel Koxhoman dhe Qenan Shej, poetët Nuhi Vinca, Agim Vinca , Resul Shabani , Rahmi Tuda,Puntorie Muça dhe e shumë artistëve dhe poetëve të rij nga vendi dhe nga bota .
E gjith kjo trashëgimi materiale dhe bukuri natyrore ka qënë motiv për kutivimin e një pasurie shpirtërore që ka ndërtuar një shoqëri kohezive që di të gjej rrugën edhe në kohë më të vështira.
Përkatësia e ndryshme fetare që në qendër kishte besimin në një Zot që i mësoj ata se “dashuria për njeriun mbi të gjitha”, është rruga deri te Ai që ia ke dedikuar besimin. Ky besim e trasoj rrugën për ta kultivuar, ruajtur dhe zhvilluar këtë vend dhe që ne sot ta trashëgojmë
Sot me të drejtë Struga dhe bregliqeni i saj janë “deti ynë”, janë destinacioni më i lakmuar turistik gjatë verës për shumë qytetarë dhe në veçanti për shqiptarët e rajonit dhe për diasporën tonë që për shumë vite u larguan për të siguruar bukën e gojës kurse tani lirisht mund të thuhet se ato janë vlera jonë kombëtare që me ardhjen e tyre në sezonin e verës mbajnë gjallë këtë rajon për gjatë gjithë vitit.
Por një ky vend me kaq resurse natyrore , kulturore, dhe përparësi ekologjike si u bë që ta kemi për çdo ditë të jetë në lajmet kryesore në kontekst negativ dhe të arrijë në shqetësimin maksimal të UNESCO-s për mosrespektim të atyre normave që atë e bën të marrë “status të mbrojtur”, që e mbështet dhe afirmon atë në botë, që zgjeron mundësitë për rritjen e mirëqenies së popullatës që aty jeton.

SI ERDHI PUNA DERI KËTU?
Nuk është e lehtë për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje. Shtjellimi i kësaj situate është shumë komplekse sepse shkaqet e një situate të tillë nuk janë aq të thjeshta sa duken dhe kuptohet që edhe nuk mund të zgjidhen brenda natës.
Pa dashur të bëhem pjesë e debatit mediatik, shpesh të njëanshme për këtë çështje, nuk ka se si të mos shqetësojë qasja e disa mediave, dhe jo rrallë edhe e disa institucioneve që me ose pa dashje, këtij problemi i qasen në mënyrë sipërfaqësore dhe të njëanshme. Sipërfaqësore janë ato qasje që e simplifikojnë çështjen duke kërkuar zbatimin e kërkesave të UNESCO duke mos analizuar më thellë shkaktarët e një gjendjeje të tillë.
Pakujdesia për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe relativizimi i standardeve edhe më parë të njohura të UNESCO-s nuk është shfaqje vetëm e viteve të fundit kur kjo eskaloi për shkak të Raportit të kësaj organizate.
Qytetarët, si të Ohrit, po ashtu edhe të Strugës, kanë shprehur indinjatë për degradimin e vazhdueshëm të këtyre vlerave tani e shumë vite më parë. Përgjegjësit e këtij degradimi janë autoritetet lokale dhe qendrore të tanishme por edhe të shumë viteve më parë. Legalizimi periodik sipas nevojave elektorale i ndërtimeve jolegale, mungesa e një koncepti të qëndrueshëm zhvillimor të rajonit, dhe mospërmbajtja edhe ndaj atyre ekzistuese, sado të paqëndrueshme janë, detyrimisht do të na binin në këtë situatë.
Kompetencat “e paqarta” mes autoriteteve lokale dhe atyre qendrore në këtë fushë, që ende po shfrytëzohen për ti hedhur përgjegjësinë njëri tjetrit, dhe trajtimi i jo-barabartë në investimet infrastrukturore në pjesët përbërëse të këtij rajoni po ashtu kanë etabluar një situatë ku tanimë duket e natyrshme që bregliqeni i Ohrit dhe vetë qyteti i Ohrit të jenë më të zhvilluara, më atraktive dhe në dukje më “të civilizuara” . Nga ana tjetër, Bregliqeni i Prespës dhe ai i Strugës të duken si “normale” ashtu sikurse janë- në gjendje të palakmueshme. Kjo narrative e bazuar në paragjykime si dhe në politika të dëmshme dominon dalëngadalë edhe në raportimin e mediave kur Raporti i UNESCO kryesisht trajtohet si detyrim i qytetit të Ohrit duke mos përmendur vendet tjera, duke krijuar përshtypjen se “ato tani më janë një vend pa shpresë”.
Kjo qasje është e rrezikshme dhe e dhimbshme për mendimin tim. Në shikim të parë, nga disa faktor që me vetëdije e kanë keqpërdorur “mirëkuptimin institucional” kjo narrativë është narrativë e ikjes nga përgjegjësia dhe në rastin më të mirë edhe brerje e ndërgjegjes . Por edhe sikur të ndodh kështu, që është e pabesueshme, atëherë do të përsëritej një padrejtësi historike e cila në emër të “tolerancës ndaj traditës” në fakt ka pasur për qëllim që të ndajë popullatën shqiptarë nga rrjedhat civilizuese dhe të ,,arsyetojë,, “prapambetjen” tonë jo si rrjedhojë e injorimit institucional por si konsekuencë e natyrshme bazuar në traditën ose fenë tonë- kështu rrezulton nga nënteksti i argumentit. Ne duhet kuptuar që edhe standardet e UNESCO-s si Organizatë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë janë instrument për avancimin e këtyre veprimtarive, dhe promovojnë norma civilizuese te të gjithë popujt e botës. Ne nuk ka se si të jemi të ndryshëm nga të tjerët dhe nuk ka pse mos të kultivojmë të njëjtat vlera përparimtare dhe progresive, dhe rrjedhimisht nuk kemi se si të sillemi ndryshe ndaj promotorëve të këtyre vlerave.
Nëse pranojmë që shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë gjendje janë komplekse dhe të më shumë gjeneratave dhe institucioneve, jam i sigurt që ajo çka i takon vetëm kësaj gjenerate të autoriteteve lokale dhe qendrore si dhe shoqërisë civile është përgjegjësia për të mos lejojnë që të përsëriten të njëjtat kuazi-arsye të pabarazisë së dukshme. Ata duhet të krijojnë dhe ofrojnë një model të ri të zhvillimit rajonal dhe lokal që do të jetë në përputhje me kërkesat e reja si dhe me trendet e reja sociale dhe ekonomike. Ky model i ri po ashtu do duhej të merrte parasysh krijimin e një raporti të ri mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve të cilët do të bindnin njëri tjetrin për domosdoshmërinë e një të ardhme më të mirë bazuar në ligjshmëri. Jam i sigurt që me qytetarët e Strugës mund të lidhet një kontratë e tillë shoqërore.

CILAT JANË HAPAT QË DUHET TË NDËRMERREN?
Struga dhe Ohri janë vendet më atraktive turistike në vendin tonë i cili nuk ka dalje në det. Duke qënë se ky bregliqen atraktiv është destinacioni më i kërkuar kuptohet që duhet menduar për krijimin e kapaciteteve përkatëse për akomodimin e kërkesave në këtë kontekst të ri.
Rrethanë e dytë objektive ka të bëjë me strukturën demografike të rrethit. Komuna e Strugës sot i ka mbi 70 mijë banorë dhe vetëm 20 përqind e kësaj popullate banon në qytet. Pra, kemi të bëjmë me një komunë rurale që nën rrethana të reja synon të urbanizohet, kështu që presioni për ambiente banimi (banesa kolektive dhe shtëpi) natyrisht që është tejet i madh. Në këtë kontekst edhe kërkesat për hapësira atraktive pranë liqenit për të siguruar vend për objekte ekonomike turistike (hotele dhe restorante) po ashtu është i madh. Kjo kërkesë është e mirëseardhur dhe përveç që angazhon kapitalin e njerëzve dhe rrit zhvillimin ekonomik, është edhe një mundësi për punësim të rinisë dhe ndalimin e migrimeve. Përmirësimi i infrastrukturës do të absorbonte edhe kërkesat në rritje të banorëve matanë liqenit, nga Shqipëria, që duan të kenë banesa pushimi edhe në Strugë.
Diversifikimi i veprimtarive dhe shtrirja e veprimtarisë turistike edhe jashtë sezonit të verës duke pasuruar jetën me potencial shumë të pasur kulturor do të rriste aktivitetin ekonomik dhe do të ndikonte në ripërtrirjen intensive të bujqësisë dhe blegtorisë e cila tani është reduktuar dukshëm për fat të keq. Por në të njëjtën kohë, edhe ky diversifikim dhe akomodim i mundësive kërkon krijim, mirëmbajtje dhe respektim standardesh, sidomos në mbrojtje të pasurive natyrore. Nuk mund të lejohet që ndërtimi i atraksioneve turistike të bëhet në dëm të po atyre pasurive që e bëjnë këtë qytet të veçantë dhe turizmin (lexo mirëqenien) e mundshëm.

ME NJË BREGLIQEN TË PASHËNDETSHËM NUK MUND TË KETË TURIZËM TË SHËNDOSHË.
Politika, në kuptimin e gjerë të fjalës duhet që të krijojë këto standarde dhe ti fuqizojë ato, duke u mbështetur në shënimet dhe vërejtjet e UNESCO-s si bazë e shëndoshë. Një liqe që lidh kaq shumë kontekste, kulturë dhe kujtime kolektive nuk mund të mbrohet nga një front, por duhet të reflektojë nevojat, mundësitë dhe kulturat e ndërlidhura, që nuk nënkupton vetëm Ohrin dhe Strugën me rrethinë por dhe shtrirjen e bashkëpunimit përtej kufirit.
Le të jetë kjo kërkesë e UNESCO si shkas për një rikonceptim të ri të zhvillimit tonë social dhe ekonomik mbi parime të reja dhe tejkalimin e paragjykimeve institucionale që origjinojnë në kontekste që nuk përputhen me realitetin. Jam i sigurt se kështu do të përmbushen edhe kërkesat dhe nevojat edhe të qytetarëve dhe sidomos të diasporës tonë e cila tani është e kultivuar me norma dhe standarde të reja. Së fundmi, kjo është mënyra për të ruajtur dhe mirëmbajtur një pasuri që për shumë nga ne, pa marrë parasysh se a jemi rritur buzë liqenit apo e shijojmë freskinë e tij hera herës, mban në vete ndërlidhje historish dhe kujtimesh kolektive dhe individuale që nuk duhet ti lëmë të humbasin.