“Alarmi i kuq” në Maqedoni, autoritetet bëjnë thirrje për mbrojtje nga moti i nxehtë
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka aktivizuar tashmë alarmin e kuq për motin, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka lëshuar rekomandime për qytetarët, ndërsa Qeveria ka miratuar Vendim që obligon punëdhënësit nga data 23 deri më 26 korrik të lirojnë nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç.
“Bëhet apel që të moshuarit të shmangin ekspozimin në diell, si dhe punën në ambient të hapur në periudhën nga ora 11 dhe 17. Të veshin rroba pambuku të lehta me ngjyra të çelëta, syze dielli mbrojtëse, kapelë me strehë të lartë dhe strehë të gjerë dhe krem mbrojtës nga dielli me faktor UV 30+ kur ekspozoheni në diell, të pihet ujë më shumë se zakonisht dhe mos prisni derisa të ndjeni etje për të pirë ujë. Të shmangen pijet alkoolike, si dhe ato që përmbajnë kafeinë dhe pijet jashtëzakonisht të ftohta. Nëse mjeku juaj ju ka caktuar ndonjë kufizim sa i përket konsumimit të lëngjeve të konsultoheni me të”, theksojnë nga ISHP.
Poashtu edhe personat me sëmundje kronike, sidomos ata me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe respiratore, duhet të jenë tejet të disiplinuar sa i përket këtyre rekomandimeve dhe ta marrin me rregull terapinë e tyre.

