Kurti dhe Abdixhiku takohen sot në Kuvend, në fokus zhbllokimi i ngërçit institucional

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojë sot një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Takimi do të mbahet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa sipas njoftimeve pritet të marrin pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, si dhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe Hekuran Murati.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, konfirmoi se takimi është caktuar për në orën 18:00.

“Po, të martën në orën 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Mustafa.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Kurti, duke riafirmuar qëndrimin e tyre për të mos qenë pjesë e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë.