Ali Ahmeti: Fryma e Krushevës po zëvendësohet me dominim, shqiptarët po margjinalizohen

Ja porosia e tij:

2 Gushti na rikthen te një nga idealet më fisnike të historisë sonë të përbashkët, bindja se liria nuk ndërtohet mbi epërsinë e njërit ndaj tjetrit, por mbi barazinë, respektin dhe bashkëjetesën. Fryma e Krushevës ishte një thirrje për një shtet ku shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha bashkësitë të ndanin përgjegjësinë dhe fatin e përbashkët.

Fatkeqësisht, pas më shumë se një shekulli, në vend që t’i afrohemi atij ideali, po largohemi prej tij. Në vend të partneritetit po rikthehet logjika e dominimit, ndërsa në vend të përfshirjes po thellohet përjashtimi. Shqiptarët po margjinalizohen në institucionet e shtetit, në administratë, diplomaci, siguri, drejtësi, arsim, kulturë, shëndetësi, ekonomi dhe në proceset vendimmarrëse që përcaktojnë të ardhmen e vendit.

Marrëveshja Paqësore e Ohrit, si vazhdimësia moderne e frymës së Manifestit të Krushevës, po përballet me përpjekje të vazhdueshme për t’u zbehur. Sulmet ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, anulimi i mekanizmit që garantonte përfaqësim të drejtë dhe adekuat, sulmi dhe zbehja e mekanizmit për mbrojtje nga majorizimi, mosrespektimi i realitetit të regjistrimit të popullsisë, drejtësia selektive dhe promovimi i një koncepti monoetnik të shtetit janë sinjale shqetësuese për drejtimin që po merr vendi.

Edhe më shqetësues është fakti se këto politika po mundësohen me mbështetjen e disa përfaqësuesve shqiptarë, të cilët, në vend që të mbrojnë vullnetin dhe dinjitetin e qytetarëve që pretendojnë t’i përfaqësojnë, kanë zgjedhur nënshtrimin përballë pushtetit. Pa legjitimitetin e popullit dhe pa guximin për të mbrojtur interesin kombëtar, ata nuk mund të jenë zëri i barazisë.

Megjithatë, orientimi i shqiptarëve nuk ka ndryshuar. Ne kemi zgjedhur një Maqedoni të Veriut të përbashkët, unitarе, demokratike dhe evropiane, ku askush nuk ndihet më pak se tjetri dhe ku shteti u përket njësoj të gjithë qytetarëve të tij. Kjo është rruga që na çon drejt një shteti të drejtë, të konsoliduar në NATO dhe të integruar në Bashkimin Evropian.

Në këtë ditë simbolike, le ta kujtojmë se e ardhmja nuk ndërtohet me ndarje, frikë apo përjashtim. Ajo ndërtohet duke e parë këtë vend jo si pronë të njërit apo të tjetrit, por si atdheun tonë të përbashkët. Vetëm mbi barazinë, respektin reciprok dhe partneritetin e sinqertë mund të ndërtojmë një shtet të fortë dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë.