Noka publikon video nga Burgu i Peqinit, ngre akuza për hyrje të paautorizuara dhe privilegje për të dënuarit
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaqet një vajzë duke u larguar nga ambientet e Burgut të Peqinit, duke ngritur akuza të forta për mënyrën e funksionimit të institucionit.
Sipas Nokës, vajza e filmuar ka hyrë në burg për t’u shërbyer të dënuarve, pretendim që deri më tani nuk është konfirmuar nga institucionet përgjegjëse. Ai akuzon qeverinë se burgjet janë shndërruar në ambiente me privilegje për persona të botës së krimit dhe se drejtuesit e tyre mbrohen pavarësisht skandaleve të raportuara.
Reagimi i Nokës vjen pas publikimit të pamjeve të një qelie luksoze në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, të bëra publike më herët nga gazetari Artan Hoxha.
Deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo nga drejtuesit e Burgut të Peqinit lidhur me pretendimet e ngritura.


