Aziz Pollozhani: Ligji për Arsimin e Lartë në Maqedoninë e Veriut: Premtim parazgjedhor, sfida legjislative dhe dilemat e demokracisë!
ME SHKAS : Ligji për Arsimin e Lartë në Maqedoninë e Veriut: Premtim parazgjedhor, sfida legjislative dhe dilemat e demokracisë!
Ligji për Arsimin e Lartë në Maqedoninë e Veriut është përjetuar si jetësim i premtimit parazgjedhor të përbërësve të sotëm të Qeverisë, të cilët shpallën se do të “çbënin atë që ishte bërë” dhe do të ” rikthenin- atë që ishte marrë”.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që nga fillimi i mandatit të Qeverisë së re, me të drejtë ishin në pritje të realizimit të programit të deklaruar parazgjedhor. Këto pritje ishin legjitime, sepse popullata ndiente rreziqet e efekteve globalizuese dhe të vatrave të reja të konflikteve, të cilat koha i konfirmoi. Këto zhvillime jo vetëm që e vështirësonin gjendjen tashmë të palakmueshme ekonomike, por shtonin pasiguritë e rrugëtimit integrues drejt Bashkimit Evropian, si dhe depopullimin dhe “rrjedhjen e trurit” të kuadrave të reja drejt vendeve të zhvilluara.
Në këtë kontekst, dy sisteme me ndikim vital për popullatën dhe për gjeneratat e ardhshme ishte në qëndër të vëmendjes së qytetarëve për përmirësimet e domosdoshme , ata ishin : arsimi dhe shëndetësia.
Politikat për të zgjidhur sfidat në këto fusha nuk janë të lehta. Detyra bëhet edhe më e vështirë në kushtet e një shoqërie të polarizuar mbi baza sociale dhe etnike, ku kapitali social është i ulët dhe ku shtohet numri i të populates së varfër.
Qytetarët tashmë ishin mësuar me atmosferën parazgjedhore dhe me retorikën e zgjedhjeve, ndaj pak kush besonte se sloganet si “të ç’bëhet–ç’ishte bërë” apo “të rimarrim–ç’na ishte marrë” do të materializoheshin kaq shpejt.
Megjithatë, qeveria e re iu përvesh punës dhe që në javët e para goditi instrumentet kryesore që garantonin përfaqësim të drejtë në institucionet publike, të ashtuquajturin “balancues”, dhe në koordinim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese aktivizoi parashtresat që kontestonin Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ku rregullohej përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë e folur nga mbi 20% e popullatës.
Ky ligj ishte jetësim i Amandamentit V të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Veprimet e fundit synuan pengimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës dhe ato profesionale të Ministrisë së Drejtësisë. Së fundi, u publikua edhe Ligji për Arsimin e Lartë, bashkë me Ligjin për Cilësinë e Arsimit të Lartë dhe Ligjin për Kërkimin Shkencor, si kornizë e re ligjore që synonte përmirësimin dhe përparimin e cilësisë së arsimit të lartë si nevojë e kahmotshme dhe e dëshiruar.
Studentët, me të drejtë, panë në këto ndryshime jo vetëm tendencën për pamundësimin e realizimit të të drejtave kushtetuese, por edhe rrezikun e “ç’bërtjes” së asaj që prindërit e tyre kishin përjetuar si fitore historike: të drejtën për shkollim në gjuhën amtare dhe përfaqësimin në strukturat e shtetit.
Ky zhgënjim u shpreh në mënyrë dinjitoze përmes protestave të rinisë, të cilat dëshmuan maturinë dhe përgjegjësinë e saj.
Ligji për Arsimin e Lartë dhe ligjet shoqëruese nuk mund të kuptohen vetëm si instrumente juridike, por si pjesë e një procesi politik që prek themelet e demokracisë dhe të marrëveshjeve paqësore në vend. Ato ngrejnë pyetje të rëndësishme mbi koherencën mes premtimeve zgjedhore dhe veprimit legjislativ si dhe mbi respektimin e të drejtave kushtetuese dhe mbi balancën mes politikës dhe autonomisë akademike nga ana tjetër.
Rinia e vendit ka dëshmuar se është e vetëdijshme, e pjekur dhe e gatshme të mbrojë të drejtat e saj. Prandaj, çdo reformë duhet të ndërmerret duke marrë parasysh këtë potencial, duke e parë rininë jo si pengesë, por si partner në ndërtimin e së ardhmes.
Zgjidhjet e nxituara që cenojnë të drejtat e studentëve dhe perspektivën e tyre profesionale rrezikojnë jo vetëm besimin në institucione, por edhe të ardhmen e vendit.
Në këtë kuadër, është e domosdoshme që organet përkatëse të ndërmarrin politika të balancuara, të bazuara në dialog dhe respekt të ndërsjellë, për të avancuar sistemin shoqëror dhe për të forcuar demokracinë.
Vetëm kështu mund të shmanget zhgënjimi i rinisë dhe të sigurohet që e ardhmja e tyre të ndërtohet këtu, e jo në vende të tjera.

