Mickoski lë të hapur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme
Kryeministri Hristian Mickoski ka lënë të hapur mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duke paralajmëruar se opozita socialdemokrate mund ta realizojë këtë kërkesë nëse vazhdon të insistojë për një skenar të tillë.
Deklarata e tij vjen pas akuzave të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), e cila ka vlerësuar se viti 2026 do të jetë ekonomikisht i vështirë për qytetarët, duke fajësuar Qeverinë për mungesë të mjeteve buxhetore për rritje pagash, ulje çmimesh dhe përmbushje të premtimit për pagë minimale prej 600 eurosh.
Sipas LSDM-së, në buxhet mungojnë rreth 1 miliard euro, ndërsa rritja e çmimeve dhe e energjisë elektrike pritet të sjellë një zinxhir shtrenjtimesh të reja. Opozita akuzon Qeverinë për manipulim të qytetarëve deri në zgjedhje dhe paralajmëron thellim të problemeve ekonomike pas tyre.
Duke iu përgjigjur kritikave, Mickoski tha se nuk ka një kërkesë zyrtare për zgjedhje të parakohshme, por theksoi se thirrjet e tilla duhet të maten me kujdes. Ai shtoi se Qeveria pret vazhdimin e rënies së inflacionit, i cili sipas parashikimeve do të jetë mes 2 dhe 3 për qind, më i ulët se rritja e Bruto Prodhimit Vendor.
Debatet mes pushtetit dhe opozitës për çmimet, inflacionin, standardin jetësor dhe pagat po intensifikohen, ndërsa zgjedhjet e parakohshme po rikthehen si një nga temat kryesore të skenës politike në vend.

