Arrestimi i të riut që festoi me flamurin kombëtar shqiptar, zv/ministri i MPB-së, Iseni: Policia ndërhyri sipas ligjit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar pas arrestimit të të riut nga Kumanova, Ard Saiti, i cili u ndalua gjatë festimeve të Ditës së Flamurit. Përmes një postimi në Facebook, Iseni theksoi se policia ka vepruar plotësisht në përputhje me ligjin dhe se procedurat për rastin në fjalë po vazhdojnë sipas parashikimeve ligjore.

Ai theksoi se ndërhyrja policore nuk ka qenë selektive dhe se zbatimi i masave është bërë “pa dallim etnik”, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët. Sipas tij, gjatë festimeve janë evidentuar veprime që kanë cenuar rendin publik, gjë që ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga policia.

Iseni shtoi se MPB mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë dhe qetësisë publike, duke paralajmëruar se çdo shkelje e ligjit që nxit tensione apo përçarje do të trajtohet me seriozitet.

“Respektimi i ligjit është detyrim për të gjithë qytetarët. Siguria dhe rendi publik janë prioritet për MPB-në, e cila do të veprojë në mënyrë të paanshme, pa dallim etnie apo besimi,” shkroi ai në fund të reagimit, duke uruar festat e nëntorit dhe duke bërë thirrje për festim në paqe dhe respekt.