LD shkrihet në VLEN, Mexhiti autorizohet për negociata

Izet Mexhiti dhe Lëvizja Demokratike (LD) kanë vendosur të shkrihen në VLEN, në kuadër të procesit të transformimit të koalicionit në parti të vetme politike, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimit, vendimi u mor në një takim me strukturat partiake, ku u theksua se ky hap synon konsolidimin e skenës politike shqiptare. LD ka autorizuar Mexhitin të vazhdojë negociatat për shndërrimin e VLEN-it në subjekt të vetëm politik.

Më herët, edhe Lëvizja Besa kishte vendosur të shkrijë organet partiake në kuadër të VLEN-it dhe kishte autorizuar liderin Bilall Kasami për bisedime rreth këtij procesi. Nga Aleanca për Shqiptarët, një pjesë përfaqësohet nga Arben Fetai, ndërsa pjesa tjetër nga Latif Arifi.

Procesi aktualisht ka ngecur te çështja e zgjedhjes së liderit, pasi në kuadër të VLEN-it janë disa kryetarë partish. Janë përmendur opsione si rotacion njëvjeçar, bashkëkryetarë apo modele të tjera organizimi. Ndërkohë, Afrim Gashi ka paralajmëruar dorëheqje nëse nuk arrihet zgjidhje për këtë çështje.

Mexhiti ka deklaruar më herët se mes tij dhe Kasamit do të zgjidhet lideri i ri i VLEN-it, duke theksuar se të dy janë të gatshëm të mbështesin cilindo që do të marrë drejtimin.